Vlerësimi për të nxënë: Urëlidhësi mes mësimdhënies dhe të nxënit

Data e Publikimit 11 Shkurt 2021

Shkruan: Vendona Krasniqi dhe Gresë Latifaj

Korniza Kurrikulare e Republikës së Kosovës për arsim parauniversitar ofron qasje të reja të mësimdhënies dhe të nxënit: metoda bashkëkohore të mësimdhënies përtej atyre tradicionale që janë ofruar në të kaluarën. Këto metoda kanë për qëllim zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të nxënësve për shekullin 21. Shkollat duhet të përqafojnë këto qasje të reja në mënyrë që të sigurohen që nxënësit të bëhen kompetentë për jetë dhe punë. Për plotësimin e kurrikulës, ekziston gjithashtu nevoja për të prezentuar metoda efektive të vlerësimit që shpiejnë në të mësuar më të mirë të nxënësve. Një nga këto qasje që mundëson transformimin në edukim është të praktikuarit e vlerësimit për të nxënë në shkollë

Vlerësimi për të Nxënë (VpN) është bërë pjesë e peisazhit edukativ në Kosovë pas futjes së këtij kursi në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta. Programi i USAID-it “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” (ASSET) ka zhvilluar kursin VpN për mësimdhënësit e shkollave të mesme të larta. Kursi, i cili është i aprovuar nga Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve (KShLM) përmban udhëzime dhe materiale për performancë efektive të mësimdhënies në klasë.

VpN është një qasje ndaj mësimdhënies dhe të nxënit që nxjerrë komente kthyese të cilat më pas shërbejnë për përmirësimin e performancës së nxënësve. VpN nuk notohet pasi nxënësit janë të përfshirë në mënyrë aktive në procesin e vlerësimit. Kjo qasje u mundëson mësimdhënësve të analizojnë se sa efektive është mësimdhënia e tyre, të kuptojnë të nxënit e nxënësit dhe të identifikojnë se ku duhet të përqendrohet të nxënit e tij/saj në të ardhmen. Nxënësit bëhen më aktiv në të nxënit e tyre dhe fillojnë të “mendojnë si një mësimdhënës.” Ata mendojnë më aktivisht se ku qëndrojnë me të nxënit e tyre, ku po shkojnë dhe si të arrijnë në atë pikë. Qëllimi i kësaj qasjeje është që nxënësit të përmirësojnë zotërimin e të nxënit të tyre dhe të zhvillohen si nxënës të pavarur. Për ta bërë këtë, një test ose vlerësim i përgjithshëm nuk është i mjaftueshëm për të përcaktuar se çfarë di ose është i aftë të bëjë nxënësi. Janë pesë procese kryesore që ndodhin gjatë vlerësimit për të nxënë:

(i) Të bërit pyetje mundëson nxënësin, së bashku me ndihmën e mësimdhënësit të tij, të gjejnë se në çfarë niveli janë ata.
(ii) Mësimdhënësi jep komente kthyese për secilin nxënës se si të përmirësojnë të mësuarit e tyre.
(iii) Për secilën detyrë që bëjnë nxënësit, ata e kuptojnë se si duket puna e suksesshme.
(iv) Nxënësit bëhen më të pavarur në të mësuarit e tyre, duke marrë pjesë në vlerësimin e bashkëmoshatarëve dhe në vetëvlerësim.
(v) Vlerësimet përmbledhëse (p.sh. provimet e nxënësit ose punimet) po ashtu përdoren për vlerësim formativ për t’i ndihmuar ata që të përmirësohen.

Për ofrimin e kursit VpN, Programi ASSET ka organizuar trajnime me bazë në shkollë përmes fasilituesve shkollorë të certifikuar. Përkundër sfidave të shumta me të cilat përballen shkollat partnere si pasojë e pandemisë COVID-19, Programi ASSET vazhdon me trajnimin e mësimdhënësve të shkollave partnere duke përdorur platforma online. Nga 30 janari 2021, kursi VpN është duke u ofruar shkollave partnere si: “Haxhi Zeka” Istog, “Xhelal Hajda Toni” Rahovec,”Bedri Pejani ”Pejë,“Ulpiana” Lipjan, “17 Shkurti” Obiliq, “Eqrem Çabej” Vushtrri, “Xhavit Ahmeti” Gjilan,“Hajdar Dushi ” Gjakovë, “Gjon Buzuku” Prizren,“ Kuvendi i Lezhës”, Viti dhe “Jeta e Re” Suharekë. Mësimdhënësit e trajnuar do të vazhdojnë të punojnë me nxënësit e tyre duke përdorur teknikat e VpN-së për një periudhë dy ose tre muajshe. Gjatë tërë kohës, deri në certifikim, ata do të mbështeten dhe mentorohen nga fasilituesit shkollorë. Duke përdorur këtë qasje që e ofron kursi në fjalë, mësimdhënësit e shkollave të mesme të larta mund të përdorin metoda efektive të vlerësimit në mënyrë që t’i ndihmojnë nxënësit e tyre për të fituar kompetencat mësimore të nevojshme për karrierën, jetën dhe punën e tyre në të ardhmen. Me përfundimin e këtij kursi, mësimdhënësit do të jenë në gjendje: të bëjnë dallimin mes vlerësimit për të nxënë nga ai përmbledhës, të shqyrtojnë ciklin e vlerësimit dhe të të nxënit, strategjitë e vlerësimit formativ, të reflektojnë dhe të zbatojnë teknikat e vlerësimit formativ për të ndihmuar procesin e vlerësimit dhe zhvillimit të shkathtësive të buta, etj

“Si fasilitues i kursit VpN, kam kuptuar që vlerësimi formativ, gjegjësisht strategjitë e këtij vlerësimi, u ndihmojnë jashtëzakonisht shumë mësimdhënësve dhe nxënësve për rezultate më të mira. Ky proces u lejon që të kontrollojnë të nxënit dhe të planifikojnë hapa konkret për përmirësim. Gjithashtu, tek nxënësit ndikon pozitivisht duke bërë që edhe ata të jenë pjesëmarrës aktivë në këtë proces, dhe gjithashtu ata të ndihen më mirë, më të motivuar dhe më aktivë.” thotë- Ylber Kuqi, mësimdhënës nga gjimnazi “Jeta e Re” në Suharekë.

Trajnimi online për VpN

Si ndjehen nxënësit me vlerësimin formativ?

Si rezultat i VpN, nxënësit janë më aktivë dhe kureshtarë. Ata gjithashtu janë më të përfshirë në mësim dhe kanë koncepte më të qarta.

“Vlerësimi formativ ka ndikuar mjaft pozitivisht. Jam ndier shumë e gatshme për zgjidhjen e detyrave menjëherë pas shpjegimit të mësimit përkatës, orët mësimore rrjedhin mjaft mirë në përgjithësi. Gjithashtu edhe vlerësimi i gjithë asaj që mësojmë është shumë mirë sepse në një formë ne e vlerësojmë edhe veten edhe shokun ose shoqen duke i korrigjuar gabimet të cilat mund t’i bëjmë, që do të thotë se i kemi kuptuar edhe gabimet eventuale. Orët mësimore të këtij lloji janë mjaft atraktive dhe njëkohësisht jemi të përfshirë më lehtë dhe më mirë në mësim!” – thotë Erblina Krasniqi, nxënëse e klasës së 10-të në gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë.

Si përfundim, VpN jo vetëm që mund të zgjidhë shumë sfida të mësimdhënies, por gjithashtu u siguron nxënësve mjete për t'i ndihmuar ata të mësojnë më mirë, që të kenë performancë më të mirë dhe të zhvillojnë shkathtësi për jetë. Programi “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” financohet nga USAID dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Corp.

Vendona Krasniqi dhe Gresë Latifaj kanë përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Aktualisht ato janë të angazhuara si praktikante në Programin e USAID-it “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt”. Ky artikull është shkruar nga vëzhgimet dhe diskutimet e tyre me ekipin dhe jodomosdoshmërisht paraqesin pikëpamjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtarë ose Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.